Medialb.com  
Personazh: Panajot Kanaçi: Vallëzimi i fundit 06/08/2010
 Ajo qe një ditë e zakonshme korriku, si sot, me diell dhe zagushi asfiksuese. Njerëzit vraponin plazheve, hijeve dhe lokaleve të periferisë. Secili me halle e shqetësime. Por, pak e dinin se kortezhi i përzishëm, që kalonte mespërmes qytetit, çonte në banesën e fundit një artist të madh, baletmaestrin Panajot Kanaçi, njeriun që kishte krijuar dhe ngritur në nivele botërore baletin shqiptar, njeriun që edhe pse jeta ishte sjellë si njerkë me të, me krijimet e tij do të kujtohet përjetësisht.
"Babai i baleti shqiptar", "Maestroja i pakrahasueshëm", "Talent i papërsëritshëm me energji krijuese të pashtershme"... qenë disa nga karakterizimet që u thanë në promovimin e veprës "Kështu e njoha unë Panajot Kanaçin" shkruar nga Artisti i Merituar Albert Janku, një monografi e bukur që lexohet me kënaqësinë e një vepre të arrirë artistike. Nuk është as libri i parë dhe nuk do të jetë as i fundit që shkruhet për artistin e madh, por sado që të shkruhen, ky është i veçantë, sepse autori ka qenë bashkëpunëtori i tij i ngushtë qysh në fillimet e krijimtarisë e deri sa mjeshtri i madh shkoi në "mbretërinë e të shumtëve". Mbresat përgjithësisht janë personale, kujtime nëpër vite, të rigjallëruara pa u ndjerë; se si të realizohej sa më bukur një balet i repertorit të zgjedhur botëror, analiza e thelluar e një libreti, shfrytëzimi krijues i folklorit tonë të bukur në krijimin e baletit kombëtar, zbulimin i talenteve të reja nga mjeshtri i madh etj... Mbresat dhe kujtimet nuk janë "pronë" vetëm e Albert Jankut, por edhe e shumë të tjerëve që folën me emocione e ndjenja në promovimin e veprës, bashkëpunëtorë dhe nxënës të tij si, Agron Aliaj, Ramazan Bogdani, Dedin Suli, Besim Zekthi, Gjergj Prevazi, e shumë të tjerë që s'arritën të marrin fjalën.
* * *
Panajot Kanaçi i përket plejadës së atyre artistëve që "kënduan" edhe në dimrin e acarin e diktaturës paronojake, e cila çdo shkrimtar apo artist e konsideronte "një rrezik potencial, një kontigjent të mundshëm të armikut të klasës". Të bëje art në atë kohë, të krijoje vlera artistike të qëndrueshme, ishte tepër e vështirë se i ashtuquajturi realizëm socialist i mbushi operat, baletet, këngët dhe vallet, me pushkë, kazma e lopata; art "militant që përçonte frymën e klasës punëtore", ajo klasë që jetonte në skllavëri dhe varfëri të skajshme. Aq i kontrolluar ishte arti sa që aprovimi i një premiere ishte një tmerr i vërtetë. Partiaket e lartë dhe aparatçikët e artit, ndonëse asnjëri prej tyre nuk merrte vesh nga ky art elitar përsëri bënin aq shume vërejte sa që ishte heroizëm i vërtetë përballimi i tyre. E megjithatë Panajot Kanaçi arriti të mposhtë trysninë dhe mediokritetin e kohës, arbitraritetin e ndërhyrjes së politikës në art dhe krijoi vepra që përbëjnë fondin më të mirë të baletit dhe valles së përpunuar popullore, që edhe sot shërbejnë si model për çdo krijues dhe ekzekutues. Dhe, siç thotë autori i librit A.Janku, "Dëshira dhe qëllimet e Mjeshtrit kanë qenë për ta afruar artin e kërcimit më ndryshe dhe më afër zhvillimit të shijeve të shoqërisë, civilizimit dhe emancipimit që ndodhte në artin botëror".
* * *
Sot është e lehtë të bësh kritika për një art të krijuar në kushtet e një diktature ekstreme. Se erdhi një kohë që diktatura i mbylli dyert e teatrove për repertorin e huaj me përjashtim të pjesëve kineze si "Detashmenti i kuq i grave" që s'kishin të bënin aspak me artin: në skenë valëviteshin vetëm flamujt e kuq me portretin e Mao Ce Dunit, me idiotësitë e një politike që i kemi kaluar edhe ne si dhe "Kina motër" e Revolucionit Kulturor.
Në vorbullën e këtij "revolucionarizimi", u ndodh edhe mjeshtri i madh Kanaçi. Koreografët dhe kërcimtarët e njohur u atashuan pranë grupeve amatore të qendrave të punës dhe kooperativave bujqësore "për ta bërë artin pronë të masave, për të mësuar nga "fryma e tyre revolucionare, nga shpirti i sakrificës dhe pastërtia ideologjike". Ishte koha e triumfit të mediokritetit dhe paaftësisë. Arti do të censurohej jo vetëm nga aparatçikët injorantë, por edhe nga të patalentuarit që në këto situata gjallëroheshin në trupat artistike. Ishte koha e tyre. Në skenë viheshin etyde koreografike si: "Me një dorë pushkën dhe me tjetrën kazmën", "Aksionistët" apo "Elektrifikimi i fshatit" etj.
Është çudi se si mjeshtri i madh arriti t'i imponohej censorëve të kohës. Bagazhi i madh artistik që kishte Kanaçi, individualiteti i theksuar kanë qenë sfida të përhershme aq sa artistit i ishte bërë e domosdoshme të krijonte duke përballuar sfida të tilla, madje këto, në një farë mase, e shtynin për të kërkuar forma dhe mjete të kamufluara të shprehjes artistike.
Ai ushqente bindjen e fortë se fuqia e artit të vërtetë mund të kapërcente të gjitha vështirësitë dhe pengesat, pavarësisht, se mungesa e lirisë krijuese nuk lejonte të shprehte plotësisht kapacitetet e brendshme individuale. Ai e jetonte natyrën e gjendjen e vet krejt të veçantë, mes një lëngate që hera-herës e bënte të ndihej i huaj mes të gjallëve.
Panajot Kanaçi, si dhe shumë artistë e shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, kishin zgjedhur muzën që "e linte veten të fluturonte dhe të harrohej në oazet e shpirtit, aq të ndërlikuara. A mos vallë dhembja është ajo që stimulon fuqi të brendshme të atilla që të çojnë drejt perlave artistike, që të kapërcejnë çdo lloj rrethane historike", - pyet autori i monografisë. Ja pse baletmaestri i madh ishte një fenomen i veçantë, që edhe në këto kushte arriti të bëjë më të mirën, më të bukurën. Dhe vetvetiu të lind pyetja: Çdo të ishte koreografia shqiptare pa Panajot Kanaçin? Qe ai që për herë të parë, me kryeveprat e baletit botëror, u tha shqiptarëve se ka edhe një art tjetër të bukur, që të ngre peshë mendjen dhe zemrën, qe ai, që për herë të parë, nëpërmjet krijimeve të tij origjinale, kapërceu barrierat midis baletit klasik dhe kërcimit popullor duke i kombinuar ato me lëvizje shprehëse ekspresive, duke krijuar fizionominë e baletit tonë kombëtar, qe ai që motivet folklorike si; "Vallet e Tiranës", "Vallja e Gështenjave", "Festë e Madhe", "Vallja çame", "Vallet e Dropullit"..., i bëri të paarritshme, fituese të çmimeve dhe trofeve në çdo skenë apo manifestim botëror ku u shfaqën. Duke përshkruar rrugën në art prej 40 vjetësh të P. Kanaçit, formimin e personalitetit të tij artistik, autori Albert Janku na e bën edhe më të lehtë njohjen e madhështisë së portretit krijues të artistit. Në mënyrë të veçantë autori, i kushton vëmendje fëmijërisë së tij, mjedisit artistik që e rrethonte, se shpesh është fëmijëria ajo që përcakton prirjet dhe rrugën e njeriut në jetë.
* * *
Lindi në një familje me prindër të përkushtuar ndaj fëmijëve, që synonin t'i arsimonin dhe t'i rrisnin në mirëqenie. Për arsye tregtare familja emigroi në Korfuz për një kohë, aq sa fëmijët arritën të mësonin gjuhën greke, dhe të jetonin tjetër jetë, më të kulturuar, më të kamur. Kjo qe një pikënisje e mirë për artistin e ardhshëm, që më vonë ndikoi në formimin e artistik. Si djali më i vogël i shtëpisë ai kishte një status të veçantë. Përveç dashurisë së prindërve ai kishte dhe dashurinë e motrave dhe të vëllait me diferencë moshe. Qysh në fillim familja e madhe dhe e kulturuar i kuptoi prirjet për artet, muzikën dhe vallëzimin të djalit më të vogël, që gjithë ditën lexonte, këndonte dhe kërcente. Shkurt, ishte me fat që e kuptuan dhe e nxitën në prirjet e tij. Ardhja e familjes në Tiranë pati ndikimin e vet në formimin e artistit. Kryeqyteti kishte mundësi më të mëdha artistike sesa Delvina apo Saranda, ku ai kaloi fëmijërinë e parë. Jeta artistike e viteve të para, ndonëse e tëra me baza diletante, i dha mundësi të krijonte, të punonte duke mësuar, pa kufizime; çdo gjë thuajse niste nga e para. Nga grupi i parë i valleve me të rinj të pasionuar pas kërcimit që u atashua pranë Teatrit Popullor, e deri te krijimi i trupës së Teatrit të Operas dhe Baletit janë vite të tëra pune dhe krijimtarie. Por hopin e madh artisti e bëri gjatë studimeve në Institutin "Lunacarski" në Moskë, 1956-1960, ku njohuritë artistike të përftuara thuajse intuitivisht, "i sistemoi dhe i shtoi" në një vend ku baleti dhe muzika klasike qenë në krye të arteve. Ishte koha kur në Bashkimin Sovjetik po shkrinin akujt e diktaturës staliniste dhe "zhdanovjanka" po lihej mënjanë. Kishte më shumë liri krijuese. Panajot Kanaçi nuk ishte një studenti i zakonshëm, por edhe me përvojë si krijues i mirëfilltë. Ishte në moshë më të pjekur se bashkëstudentët, dhe zotëronte katër gjuhë të huaja. Pedagogët e famshëm jo rastësisht, qysh në fillimin e studimeve, e bënë asistent dhe bashkëpunëtor të tyre. Vuri në skenë balete dhe valle madje erdhi edhe në vendlindje ku realizoi baletin "Rapsodi Shqiptare" (1960). Institutin e mbaroi me vlerësimin shkëlqyeshëm por Shqipëria e asaj kohe "i kishte shpallur luftë gjithë botës së kalbur borgjezo-revizioniste" dhe talente të tilla të fuqishme do të gjenin pak hapësira krijuese dhe shumë shqetësime.
* * *
Në një dite korriku si kjo, katërmbëdhjetë vjet më parë Mjeshtri i Madh Panajot Kanaçi "kërceu vallen e fundit, vallen e vdekjes, atë valle që do ta kërcejmë të gjithë. Iku duke marrë me vete ankthin e premierave, sukseset e bujshme, duartrokitjet dhe falenderimet e njerëzve. Tani nuk do të kishte më as këshilla artistike, as smira, as intriga dhe shpifje. Iku si të gjithë ata që kanë realizuar vetveten në jetë dhe kanë arritur atë që i janë përkushtuar. Televizionet, gazetat si një rotativ gjigant, përsëritën lajme banale politike, deklarata bardhezi të liderëve dhe nuk i kushtuan qoftë edhe dy rreshta ditëvdekjes së këtij artisti të madh. Megjithatë, ai tashmë kurrë nuk do të ketë nevojë për ne, kurse ne do të kemi nevojë gjithnjë për të.
Lajmet e fundit
Vendi -  Shuhet Leka Zogu I, pretendenti i fronit mbretëror

Kronike -  Kufiri me Greqine, trafikantët shkëmbejnë zjarr me policinë

Shendeti -  Pogradec, helmohen me bar miu 3 fëmijë kopshti

Politike -  Rama mbledh sot tryezën e aleatëve

Kronike -  Zjarr në një fabrikë dyshekësh në Krujë, plagosen 3 vete

Analize -  Bursat europiane goditen nga qëndrimi gjerman

Rajoni -  Kosovë, KFOR-i shtyn afatin për heqjen e barrikadave

Kronike -  Vlorë, atentat me tritol, vdes gjyqtari Skerdilajd Konomi

Vendi -  TOPI: AKT MAFIOZ NDAJ SISTEMIT TË DREJTËSISË

Vendi -  Wikileaks, Blushi: Rrëzimi i Berishës, fantazi e Ramës
Botime Dudaj
Signa Rama Dudaj Group Dudaj Konstruksion